Pas situatës të rënduar të krijuar nga tërmeti me magnitudë 6,4 shkalla Rihter, me epiqendër bregdetin e Durrësit që goditi në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit vendin tonë, mbi 200 specialistët të kërkim – shpëtimit dhe Emergjencave Civile nga vende aleate dhe partnere të NATO-s, kanë mbërritur orë pas ore në Shqipëri për të asistuar ekipet tona në këtë situatë të rëndë.
Specialiste nga BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia, po japin ndihmën e specializuar në operacionet e kërkim – shpëtimit.
Këto operacione kanë vijuar gjatë natës në Durrës, ndërsa në Thumanë kërkimet kanë rinisur herët në mëngjes, pas ndërprerjes disa orëshe për shkak të vështirësive të natës. Sipas informacioneve paraprake 24 persona kanë humbur jetën, 650 të tjerë janë lënduar dhe 45 janë shpëtuar.
Ndërkohë për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të cilave u janë dëmtuar pjesërisht apo tërësisht banesat, pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.
Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë.
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp Facebook Messenger Telegram Viber Email