HISTORIKU

Periudha 1945 – 1990

Rezervat Materiale të Shtetit janë krijuar në vitin 1946 si një institucion në varësi të drejtëpërdrejtë të ish Komisionit të Planit të Shtetit, ndërsa administrimi i mallrave rezervë kombëtare realizohej nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit.

Funksioni dhe vemprimtaria e këtij institucioni rregullohej me anë të vendimeve dhe urdhëresave të vecanta të Këshillit të Ministrave.

Nga viti 1946 deri në 1990 Rezervat e Shtetit kanë qënë të shtrira gjeografikisht në të gjithë territorin e Shqipërisë, në mbështetje të misionit për mbrojtjen e vendit sipas vizionit politik të asaj periudhe.

Detyrat që i janë ngarkuar Rezervës së Shtetit kanë ndryshuar disa herë në varësi të politikave qeverisëse të sistemeve shoqërore që ka kaluar vendi ynë por edhe të problematikave të krijuara në mënyrë të vecantëpas viteve 90.

Periudha 1990-2003

Në varësi të hapave që ndërrmernin qeveritë në drejtim të hapjes së ekonomisë së vendit drejt tregut të lirë, detyrat e rezervave të Shtetit kanë ndryshuar gjatë viteve 1990-1996. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 për shkak të situatës së vështirë ekonomike që kalonte vendi, Rezerva e Shtetit mori dhe detyrën për furnizimin e tregut me mallra ushqimor e produkte të gatshme, si dhe furnizimin e ndërmarrjeve me lëndë të parë.

Në vitin 1994 Rezerva e Shtetit u ngarkua të bëjë administrimin e mallrave që kalojnë në dobi të shtetit nga kundërvajtjet administrative (konfiskimet e bëra nga organet doganore dhe tatimore) dhe veprat pernale, për ti trajtuar ato si mallra rezervë shteti.

Nga viti 1995 Rezerva e Shtetit ka realizuar furnizimin (shitjen) me grurë të popullatës në zonat që izolohen nga dimri, detyrë të cilën deri në atë kohë e kishin ndërmarrjet e grumbullimit.

Deri në vitin 1996 Rezervat e Shtetit kishin detyrë për të ndihmuar subjekte private me qëllim ruajtjen e cmimeve të bukës, karburanteve etj.

Gjatë kësaj periudhe Rezerva e Shtetit ka realizuar këto përgjegjësi:

  •  Administrimin e mallrave rezervë shtetërore
  •  Furnizimin me mallra ushqimore të popullatës në zonat që izolohen nga dimri
  •  Administrimin e mallrave që kalojnë në dobi të shtetit nga kundravajtjet administrative dhe veprat penale.
  •  Administrimin e ndihmave humanitare dhe transportimin e tyre deri në destinacionin respektiv.

Në realizimin e këtyre përgjegjësive Rezerva e Shtetit ka funksionuar në zbatim të katër akteve nënligjore kryesore dhe konkretisht:

    •  VKM. Nr.372, datë 25.07.1994 “Për administrimin e mallrave rezervë shtetërore”
  •  VKM.Nr 286, datë 30.05.1994 “Për administrimin e mallrave që kalojnë në dobi të shtetit nga kundërvajtjet administrative”

 

    •  VKM.Nr 517, datë 25.09.1995 “Për furnizimin me grurë të zonave që izolohen nga dimri”
  • VKM.Nr 221, datë 13.04.2001 “Për administrimin dhe shitjen e mallrave të konfiskuara në mbështetje të ligjit nr. 8717, datë 15.12.2000 “Për vendosjen e pullave në artikujt e duhanit dhe të pijeve alkoolike”

 

Ligji nr.7873,datë 16.11.1994, “Për sekuestrimin e mjeteve tokësore, detare e ajrore, me të cilat kryhen vepra penale”

Në vitin 1990 Rezervat e Shtetit kishin në përbërje 10 degë në rrethe, të cilat administronin 120 agjenci. Numri i punonjësve kapte shifrën 1500.

Nga viti në vit numri i agjencive dhe i punonjësve ka ardhur duke u zvogëluar në përputhje me detyrat që përcaktonte Këshilli i Ministrave për këtë institucion.

Periudha 2003 – 2008

Vendimi Nr. 60 datë 23.01.2003 i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe një shtesë në Vendimin nr. 372, datë 25.07.1994 të Këshillit të Ministrave, për administrimin e mallrave kombëtar” ndryshoi varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave nga Këshilli i Ministrave, tek Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

Në zbatim të këtij vendimi, është rishikuar misioni, mënyra e funksionimit dhe organizimi në tërësi i Rezervave Shtetërore.

Periudha 2008 e në vazhdim

Për herë të parë në vitin 2008, Rezerva e Shtetit fillon të funksionojë me një ligj organik të vecantë, Ligjit 9900, datë 10.04.2008, “Për Rezervat Materiale të Shtetit”, qëllimi i së cilit është vendosja e bazave juridike dhe administrative për rregullimin e marrëdhënieve që lindin ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Bazuar në këtë ligj, rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake ( në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Në zbatim të ligjit nr. 9900 datë 10.04.2008 “Për rezervat materiale të shtetit” ka dalë VKM nr. 1128, datë 05.08.2008 “Për administrimin e mallrave rezerve shtetërore”.