RREGULLORE PËR HETIMIN ADMINISTRATIV TË SINJALIZIMIT DHE MBROJTJEN E KONFIDENCIALITETIT NË DPRMSH

 

KREU I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

 Neni 1

Baza ligjore

 Rregullorja për hetimin administrativ të sinjalizimit dhe mbrojtjen e konfidencialitetit në DPRMSH, bazohet në ligjin nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, aktet nënligjore të miratuara në bazë dhe për zbatim të tij, si dhe në Kodin e Procedurave Administrative.

 

Neni 2

Objekti

 Objekti i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i rregullave për procedurën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe mbrojtjen e konfidencialitetit, në zbatim të ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Neni 3

Përkufizime

Në këtë Rregullore termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “I sinjalizuar” janë një ose më shumë persona, ndaj të cilëve bëhet një sinjalizim, sipas ligjit nr. 60/2016, në lidhje me një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
  2. “Njësia përgjegjëse” është organi i posaçëm, i caktuar brenda autoritetit publik ose subjektit privat, i përbërë nga një ose më shumë punonjës të organizatës dhe i ngarkuar me detyrën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe shqyrtimin e kërkesës për mbrojtjen e sinjalizuesit.
  3. “Organizatë” është autoriteti publik ose subjekti privat.
  4. “Korrupsion” është çdo veprim ose mosveprim i kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me to.
  5. “Sinjalizim” është raportimi i informacionit nga ana e sinjalizuesit tek njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni, të kryera në vendin e tij të punës në autoritetin publik apo subjektin privat.
  6. “Sinjalizues” është individi, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka punuar më parë pranë autoritetit publik apo subjektit privat, pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës ose kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo, që sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
  7. “Veprim ose praktikë e dyshuar korrupsioni” është një veprim ose mosveprim, fakte ose rrethana të kryera në një organizatë, për të cilat sinjalizuesi dyshon në mirëbesim, sipas këtij ligji, se mund të përbëjë korrupsion.
  8. “ILDKPKI” është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

 

KREU II

PROCEDURA E HETIMIT ADMINISTRATIV TË SINAJLIZIMIT

 

 

Neni 4

Parimet e përgjithshme

 

  1. Njësia përgjegjëse për zbatimin e ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” duhet:

a.     të veprojë me ndershmëri, paanshmëri dhe efikasitet, duke pasur parasysh interesat legjitimë të sinjalizuesit;

b.    të veprojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamja politike dhe çdo influencë tjetër e padrejtë që mund të pengojë realizimin e detyrave, sipas këtij ligji;

c.     të shmangë çdo konflikt interesi të mundshëm dhe të deklarojë menjëherë tek organizata konfliktin e interesit përpara fillimit të hetimit administrativ të një sinjalizimi;

ç.     të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të mbrojtur dokumentacionin dhe provat lidhur me sinjalizimin nga zhdukja, fshehja, ndryshimi, falsifikimi dhe veprime të tjera, të cilat synojnë asgjësimin e tyre;

d.    të ruajë konfidencialitetin e informacionit dhe të mbrojë të dhënat në përmbajtje të çdo sinjalizimi, në përputhje me nenet 15 dhe 16 të këtij ligji;

dh.  të ruajë sekretin shtetëror në përmbajtje të një sinjalizimi në zbatim të ligjit.

  1. Veprimet procedurale të njësisë përgjegjëse kryhen në përputhje me ligjin nr. 60/2016 dhe në rast të mosparashikimit nga ky ligj, sipas Kodit të Procedurave Administrative.
  1. Gjatë procesit të hetimit administrativ, sinjalizuesi ka të drejtë të mos zbulojë burimet e informacionit.

 

Neni 5

Forma dhe përmbajtja e sinjalizimit

  1. Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht pranë njësisë përgjegjëse e cila detyrohet ta dokumentojë me shkrim atë me anë të një procesverbali.
  1. Sinjalizimi përmban të paktën:

a.  të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;

b.  të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;

c.  përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat është në dijeni sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;

ç.  referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;

d.  në rastin e sinjalizimit të jashtëm, shkaqet ligjore dhe rrethanat e faktit, për aq sa është e mundur nga sinjalizuesi, për përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit të jashtëm.

  1. Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet nga njësia përgjegjëse si i tillë, vetëm nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
  1. Njoftimet për veprimet procedurale, për të cilat njësia përgjegjëse cakton afate, duhet të përmbajnë paralajmërimin e shprehur mbi pasojat e mosrespektimit të afatit.
  1. Në rastet kur sinjalizimi nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes së kërkuar në pikën 2 të këtij neni, njësia përgjegjëse i kërkon me shkrim sinjalizuesit të korrigjojë këto të meta brenda 7 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për korrigjim.

 

Neni 6

Regjistrimi i sinjalizimit

  1. Sinjalizimet regjistrohen në një regjistër të posaçëm protokolli dhe elektronik të krijuar për këtë qëllim.
  1. Njësia përgjegjëse nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e sinjalizimit.

 

Neni 7

Rastet e konfliktit të interesave

  1. Në rastet kur anëtari i njësisë përgjegjëse konstaton apo vihet në dijeni se ai vetë apo persona të lidhur me të janë të përfshirë ose kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, pasuror ose personal në veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, detyrohet që të shmangë këtë konflikt interesi duke e deklaruar menjëherë atë tek organizata përpara se të fillojë hetimi administrativ i sinjalizimit.
  1. Titullari i organizatës, brenda 5 ditëve nga njoftimi, urdhëron zëvendësimin e anëtarit të njësisë përgjegjëse për këtë hetim administrativ me një tjetër nëpunës të njësisë së auditimit të brendshëm.

 

Neni 8

Mosfillimi i hetimit administrativ

  1. Njësia përgjegjëse ka të drejtë të mos fillojë hetimin administrativ nëse:

a.  sinjalizimi nuk është korrigjuar sipas përcaktimeve të pikës 5 të nenit 5 të kësaj Rregulloreje;

b.  sinjalizimi përmban fakte dhe rrethana që nuk përbëjnë korrupsion sipas përcaktimit të bërë në pikën 4 të nenit 3 të kësaj Rregulloreje;

c.  kur nga përmbajtja e sinjalizimit del haptazi se nuk ka elemente të kundërvajtjes administrative ose të veprës penale.

  1. Mosfillimi i hetimit administrativ bëhet me vendim të arsyetuar të njësisë përgjegjëse.

 

Neni 9

Procedura e hetimit administrativ 

  1. Njësia përgjegjëse heton administrativisht sinjalizimin, në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligjin nr. 60/2016. Për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj, njësia përgjegjëse zbaton dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.
  1. Njësia përgjegjëse ka të drejtë të kërkojë informacione dhe dokumente, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë deklarata ose të pyesë persona në dijeni ose rrethanat e çështjes ose të konsultohet me ekspertë të fushave të ndryshme.
  1. Në hetimin administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo person tjetër i tretë, kur dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë dhe të sinjalizuarin, nëse vlerësohet e nevojshme nga njësia përgjegjëse.
  1. Secilës palë pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet e drejta për një proces të rregullt, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative. Gjatë procesit të hetimit palët kanë të drejtë:

a.  të paraqesin prova të cilat kanë vlerë për çështjen;

b.  të konsultohen me dosjen e hetimit;

c.  të dëgjohen në lidhje me pretendimet personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi.

Neni 10

Provat 

  1. Palët janë të detyruar të paraqesin informacione, prova, dokumente, deklarata apo për t’u paraqitur personalisht përpara njësisë përgjegjëse sa herë që u kërkohet. Çdo shkelje e këtij detyrimi nga ana e zyrtarëve apo organizatave private përbën shkak për fillimin e procedimit ligjor në varësi të shkeljes së konstatuar.
  1. Njësia përgjegjëse ka detyrimin të dokumentojë me shkrim çdo veprim që kryen gjatë hetimit administrativ. Procesverbali duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e njësisë përgjegjëse. Në rast të kontrollit apo këqyrjeve, akti duhet të nënshkruhet edhe nga zyrtarët e organizatës. Nëse këta të fundit nuk janë dakord me përmbajtjen e aktit, kanë të drejtë të paraqesin vërejtje me shkrim, kopje e së cilës i bashkëlidhet aktit.
  1. Njësia përgjegjëse është e detyruar të regjistrojë çdo provë të paraqitur nga palët dhe të arsyetojë vendimin e mospranimit të tyre nëse vlerëson se prova e paraqitur nuk ka vlerë për çështjen. Kundër këtij vendimi mund të bëhet vërejtje me shkrim, kopje e së cilës i bashkëlidhet aktit. Dokumentet e nevojshme për hetimin pranohen nga njësia përgjegjëse pa pagesë.

 

Neni 11

Mjetet e kërkimit të provës

  1. Gjatë hetimit administrativ njësia përgjegjëse, me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, mund:

a.  të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe ekspertë;

b.  të marrë dokumente dhe dokumente të tjera të dokumentuara nëpërmjet mjeteve fotografike, të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike;

c.  të këqyrë vende të caktuara;

ç.  të përdorë të gjitha mjetet dhe mënyrat provuese të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative.

  1. Kur një provë shkresore, nga e cila varet zgjidhja e çështjes ose që ndikon në sqarimin e saj, ka rrezik të manipulohet, zhduket ose të vështirësohet marrja e saj, njësia përgjegjëse kryesisht apo me kërkesën e sinjalizuesit, mund të vendosë marrjen më parë të kësaj prove ose të urdhërojë moskryerjen e asnjë veprimi mbi këto dokumente (sigurimi i provës). Në çdo rast mbahet një procesverbal që nënshkruhet nga anëtarët e njësisë përgjegjëse dhe zyrtarët përgjegjës të organizatës.

 

Neni 12

Afati për vendimmarrjen

  1. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit nga njësia përgjegjëse përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, por në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit.
  1. Shtyrja e afatit për hetimin administrativ bëhet me vendim të arsyetuar të njësisë përgjegjëse duke përcaktuar edhe afatin e ri kohor të shtyrjes në përputhje me vështirësinë dhe kompleksitetin e çështjes.

 

Neni 13

Përfundimi i hetimit administrativ dhe masat

  1. Njësia përgjegjëse përfundon hetimin administrativ nëse:

a.  gjatë hetimit rezulton se sinjalizimi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit është i bazuar;

b.  konstaton se sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit.

  1. Nëse në përfundim të hetimit administrativ nga njësia përgjegjëse rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje administrative, sipas ligjit, njësia përgjegjëse detyrohet të vërë menjëherë në dijeni organin kompetent.
  1. Njësia përgjegjëse merr masa të menjëhershme, të çastit dhe për aq sa është e mundur, për të parandaluar ose penguar vazhdimin e pasojave të dëmshme nga veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit të sinjalizuar.
  1. Në dosjen e sinjalizimit shënohen vendimi për përfundimin e hetimit administrativ, i arsyetuar për të gjitha shkaqet që kanë çuar në vendimmarrjen përkatëse, si dhe masat e marra në lidhje me sinjalizimin.

 

Neni 14

Njoftimi i sinjalizuesit

  1. Njësia përgjegjëse njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në përgjigje të sinjalizimit jo më vonë se 30 ditë nga momenti i kryerjes së veprimit.
  1. Pavarësisht nga afati i njoftimit të parashikuar në këtë pikë, njësia përgjegjëse është e detyruar t’i përgjigjet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për informacion, të paraqitur me shkrim nga sinjalizuesi, në çdo kohë, në lidhje me çështjen e sinjalizuar prej tij.

 

Neni 15

E drejta e sinjalizuesit për t’u drejtuar drejtpërdrejtë në ILDKPKI

  1. Sinjalizuesi ka të drejtë të sinjalizojë veprën e dyshuar të korrupsionit pranë ILDKPKI në rastet kur:

a.  njësia përgjegjëse nuk fillon hetimin administrativ ose përfundon hetimin në kundërshtim me nenet 7 dhe 12 të kësaj Rregulloreje;

b.  ka dyshime të arsyeshme se pritësi i sinjalizimit në njësinë përgjegjëse ose persona të lidhur me të janë përfshirë ose kanë interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, pasuror ose personal, në veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.

c.  ka arsye të tjera të bazuara për të dyshuar në integritetin dhe paanshmërinë e njësisë përgjegjëse në shqyrtimin e sinjalizimit, sipas parimeve të ligjit dhe Rregullores;

ç.  prova e sinjalizuesit, në lidhje me veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, mund të fshihet ose të shkatërrohet nga organizata.

  1. Në këtë rast, nëse njësia përgjegjëse e ka filluar hetimin detyrohet ta ndërpresë atë duke bërë shënimin përkatës në dosje.

KREU III

MBROJTJA E KONFIDENCIALITETIT

 

Neni 16

Konfidencialiteti

  1. Gjatë procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit, identiteti i sinjalizuesit u bëhet i ditur personave të tretë vetëm me pëlqimin e tij me shkrim.

 

  1. Njësia përgjegjëse duhet të ruajë në çdo kohë në mënyrë konfidenciale informacionin e lidhur me sinjalizimin, duke mos e përhapur ose transmetuar tek persona të tretë, si dhe të mos e përdorin për qëllime të tjera, përveçse me pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit ose për përmbushjen e një detyrimi ligjor.

 

  1. Njësia përgjegjëse në komunikimet me organizatën ku punon sinjalizuesi ose me çdo subjekt apo autoritet tjetër, privat ose shtetëror, respekton detyrimin e konfidencialitetit dhe ua komunikon informacionin e nevojshëm vetëm personave të caktuar për hetimin administrativ ose për marrjen e masave për ndjekjen e fakteve të sinjalizuara, në kuadër të një marrëveshje konfidencialiteti mes palëve.

 

Neni 17

Mbrojtja e të dhënave personale

  1. Të dhënat personale të individëve të përfshirë në hetimin administrativ përpunohen vetëm për qëllim të ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Në çdo rast, përpunimi i të dhënave personale kryhet sipas parimeve dhe procedurave të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
  1. Në rastet kur, në zbatim të kësaj rregulloreje, konstatohet mosrespektim i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, çështja i referohet menjëherë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

Kjo Rregullore hyn në fuqi menjëherë.