Ligji për DPRMSH

LIGJ

Nr.9900, datë 10.4.2008

PËR REZERVAT MATERIALE TË SHTETIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të vendosë bazat juridike dhe administrative për rregullimin e marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Rezervat materiale të shtetit” janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre.

2. “Ministri” është ministri që mbulon fushën përkatëse.

3. “Administrim” është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.

4. “Lëvrim” është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.

5. “Këmbim” është zëvendësimi i vlerës së pronës me një vlerë prone të një lloji tjetër, në cilësinë e kërkuar dhe në sasinë respektive, në varësi të vlerës monetare.

6. “Zëvendësim” është zëvendësimi i vlerës së pronës me një vlerë të pronës të një lloji tjetër, të barabartë në cilësi, respektivisht në sasi.

7. “Freskim” është zëvendësimi i rezervës materiale të shtetit për produktet, që janë në limitet e kohëruajtjes ose kur ato paraqesin rrezik zhvlerësimi cilësor.

8. “Ruajtje apo mirëmbajtje” është bashkësia e të gjithë veprimtarisë së administratës së rezervës dhe të agjentëve ekonomikë gjatë përkujdesjes për rezervat materiale të shtetit.

9. “Limiti minimal i artikullit të rezervës materiale të shtetit” është sasia e caktuar, e shprehur në njësi matëse, nën të cilën nuk duhet të bjerë sasia e rezervës materiale të shtetit e këtij artikulli.

10.”Gjendja orientuese e rezervës materiale të shtetit” janë sasitë e artikullit, të shprehura në njësi matëse, të cilat vlerësohen si maksimale nga pikëpamja e nevojave në Republikën e Shqipërisë.

11. “Plotësim” është shtimi i sasisë së rezervës materiale të shtetit deri në limitet maksimale, të përcaktuara për to.

12.”Heqje” apo “seleksionim” është veprimi administrativ, që kryhet kur vlera e pronës nuk mund t’i shërbejë më qëllimit, sipas këtij ligji dhe është e domosdoshme të veprohet në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.

13.”Agjentë ekonomikë” janë personat juridikë, privatë ose publikë, të cilëve u besohet ruajtja dhe mirëmbajtja e rezervave materiale të shtetit, që kërkojnë kushte të veçanta ruajtjeje.

14. “Huadhënie” është lënia në përdorim të përkohshëm dhe kthimi brenda afatit të caktuar.

15. “Mallra ndihmë humanitare” janë të gjitha ato mallra, që i jepen shtetit shqiptar si ndihmë humanitare nga shtete, donatorë dhe individë, për rastet e situatave të përshkruara në nenin 3 të këtij ligji.

16. “Mallra të konfiskuara” janë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, karburantet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale dhe të gjitha sendet, që kalojnë në pronësi të shtetit, me vendim të formës së prerë të organit kompetent, si rrjedhojë e kundërvajtjeve administrative, veprave penale apo si pasojë e parandalimit dhe goditjes së krimit të organizuar. Këto mallra administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 3

Përdorimi

Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake ( në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

KREU II

PËRBËRJA E REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT

Neni 4

Përbërja

Rezervat materiale të shtetit përbëhen nga:

a) mallrat rezervë, që financohen nga Buxheti i Shtetit;

b) mallrat, që vijnë si ndihmë humanitare;

c) mallrat, që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe kryerja e veprave penale;

ç) asetet, që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.

Neni 5

Mallrat rezervë

1. Mallrat rezervë janë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale, që financohen nga Buxheti i Shtetit, për të përballuar situatat e përshkruara në nenin 3 të këtij ligji.

2. Mallrat rezervë ndahen në mallra të grupit A, të grupit B dhe të grupit C.

3. Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Nomenklatura, sasia dhe gjendja e mallrave rezervë shtetërore kanë karakter sekret.

KREU III

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË

Neni 6

Organizimi dhe funksionimi

1. Rezervat materiale të shtetit administrohen nga ministri, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, në mënyrat dhe kushtet, që përcaktohen nga ky ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit është institucion qendror, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe varet nga ministri, veprimtaria e të cilit bazohet në këtë ligj dhe në akte të tjera nënligjore.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit organizohet në dy nivele: në atë qendror dhe rajonal.

4. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit ngrihet në funksion të realizimit të detyrave dhe të përgjegjësive të saj dhe përcaktohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.

5. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit përgjigjet për drejtimin dhe kontrollin e veprimtarisë administrative të degëve të saj rajonale.

6. Punonjësit e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe të degëve rajonale të saj gëzojnë statusin e nëpunësit civil.

7. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit emërohet, lirohet/shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit, që mbulon këtë fushë të veprimtarisë.

Neni 7

Drejtori i Përgjithshëm

Në kuadër të funksioneve dhe detyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i saj ushtron kompetencat si më poshtë:

1. Përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit.

2. Emëron dhe liron nga detyra personelin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe të degëve rajonale, në varësi të saj, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi për shërbimin civil.

3. Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit.

4. Nxjerr urdhra dhe udhëzime për veprimtarinë e strukturave të saj, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e rezervave materiale të shtetit.

5. Administron fondin e rezervave materiale të shtetit, të planifikuar në buxhetin vjetor të institucionit, si zë më vete, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore.

6. Bashkërendon veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore në fushën e rezervave materiale të shtetit.

7. Siguron vendvendosjen e rezervave materiale të shtetit.

8. Siguron krijimin dhe administrimin e rezervave materiale të shtetit, në përputhje me qëllimin dhe kërkesat e këtij ligji.

9. Siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme, të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e rezervave materiale të shtetit, si dhe veprimtari të tjera, për plotësimin e detyrave, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

10. Siguron drejtimin ekonomiko-financiar të degëve rajonale dhe bashkërendimin e veprimtarisë së tyre në rastet e emergjencave civile apo të situatave të veçanta.

ll. Siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë në fushën e rezervave materiale të shtetit.

KREU IV

ADMINISTRIMI I REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT

Neni 8

Financimi

Fondet për krijimin dhe administrimin e rezervave materiale të shtetit përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Neni 9

Detyrimi për të informuar

Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit vë në dijeni, periodikisht, ministrin, Këshillin e Ministrave dhe, kur i kërkohet, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, për gjendjen e mallrave rezervë materiale të shtetit.

Neni 10

Lëvrimi

1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

2. Lëvrimi i mallrave rezervë të grupit B bëhet me urdhër të ministrit, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit, në rastet kur:

a) është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, gjendje lufte apo gjendje e emergjencës civile në një pjesë të territorit të vendit;

b) si rezultat i kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës civile, mallrat rezervë të grupit B janë prekur deri në limitin minimal.

3. Mallrat rezervë të grupit C lëvrohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit:

a) kur shpallet gjendje e emergjencës civile të shtetit ose me kërkesë të prefektit të qarkut;

b) kur, për kohëzgjatje të gjendjes së emergjencës civile vendore, vlerësohet i pamundur përballimi i situatës së krijuar me mallrat ndihmë humanitare. Në këto raste veprohet me nismën e kryetarit të bashkisë apo të komunës respektive;

c) kur, si rezultat i fatkeqësive apo aksidenteve të paparashikuara, rrezikohet ose kërcënohet jeta e pjesëtarëve të disa familjeve;

ç) kur mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë kontingjente refugjatësh;

d) për realizimin e detyrave, për përballimin e emergjencave civile të strukturave operative, aktive dhe mbështetëse, si dhe të grupeve të vullnetarëve, me kërkesë të prefektit të qarkut;

dh) kur, si rezultat i fatkeqësisë, vihet re një rënie masive e niveli ekonomik të shtetasve, pasi dëmi i shkaktuar është i tillë, që ka ulur, në mënyrë të ndjeshme, mundësitë financiare të personave në nevojë;

e) kur ndihma do të shërbejë si masë urgjente mbështetëse, paraprake;

ë) kur ndihma jepet për refugjatët, që mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si masë mbështetëse paraprake;

f) kur vlerësohet e nevojshme nga strukturat operative aktive të qarkut për riparimin e infrastrukturës jetike në zonat e dëmtuara;

g) kur është e domosdoshme për institucionet e rehabilitimit dhe të përkujdesjes shoqërore, si dhe për grupet e vullnetarëve, pjesëmarrës në përballimin e emergjencës.

4. Mallrat ndihmë humanitare, në çdo rast, lëvrohen pa pagesë. Në rast se donatori kërkon shpërndarjen e ndihmës humanitare në një komunitet të përcaktuar nga ai vetë, kërkesa e tij vlerësohet nga Kryeministri, me një udhëzim të veçantë.

5. Ndihmat humanitare mjekësore magazinohen në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, ndërsa kolaudimi dhe lëvrimi i tyre bëhen nga Ministria e Shëndetësisë.

Neni 11

Shitja

1. Mallrat rezervë të grupit B shiten kur:

a) nuk vendoset lëvrimi falas, sipas nenit 10 të këtij ligji;

b) planifikohet freskimi i tyre.

2. Mallrat rezervë të grupit C shiten:

a) në situatat, që nuk përfshihen në nenin 10 të këtij ligji;

b) kur kërkohet freskimi i tyre;

c) kur kërkohet blerja e tyre nga shtete që ndodhen në situata të emergjencave civile.

Neni 12

Freskimi

1. Freskimi i mallrave rezervë kryhet sipas planit të propozuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit, me miratimin e ministrit.

2. Freskimi i mallrave rezervë bëhet nëpërmjet këmbimit ose huadhënies, me anë të aktmarrëveshjeve, të lidhura me institucione, që financohen nga Buxheti i Shtetit, të kontratave dypalëshe, të lidhura me subjekte private, që kanë kontrata të ngjashme furnizimi për këto mallra, si dhe me anë të shitblerjes.

3. Të ardhurat, që krijohen nga shitja e mallrave rezervë, mbeten në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, të cilat vijojnë të përdoren për plotësimin e sasive të artikujve të shitur.

Neni 13

Ruajtja e limitit minimum

1. Kur nuk vendoset ndryshe, freskimi, këmbimi, zëvendësimi, huadhënia ose shitja e mallrave rezervë bëhen duke ruajtur limitin minimum të tyre.

2. Për mallrat “ndihmë humanitare” nuk përcaktohet limiti minimum. Ato administrohen, përdoren dhe lëvrohen me të njëjtat procedura si mallrat rezervë të grupit B.

Neni 14

Marrja në dorëzim

1. Mënyra e marrjes në dorëzim e mallrave nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit rregullohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit nuk merr në dorëzim mallra të skaduara ose në prag të skadimit.

3. Shpenzimet e transportit deri në depot apo magazinat e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit përballohen nga organi administrativ, që dorëzon mallin.

Neni 15

Seleksionimi

1. Seleksionimi i artikullit rezervë materiale të shtetit bëhet vetëm në rastet e avarisë së pakthyeshme ekologjike, të rrezikimit të jetës apo shëndetit, si dhe për mbrojtjen nga zhvlerësimi i menjëhershëm i sasive të rezervës materiale të shtetit. Seleksionimi mund të bëhet edhe për materialet e përdorura apo të dëmtuara, në situatat e përshkruara në nenin 3 të këtij ligji.

2. Kur vëllimi i sasive të artikullit rezervë materiale të shtetit është mbi limitin minimum të përcaktuar për këtë artikull, mund të përdoret në vitin përkatës, për qëllime huadhënieje, zëvendësimi ose këmbimi.

Neni 16

Mirëmbajtja

1. Për artikujt e rezervave materiale të shtetit, që kërkojnë kushte të veçanta mirëmbajtjeje, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit mund të kontraktojë për depozitimin e tyre me agjentë ekonomikë, të cilët plotësojnë kushtet teknike, të nevojshme dhe të domosdoshme, për të siguruar pandryshueshmërinë e gjendjes cilësore dhe vëllimore të artikujve rezervë materiale të shtetit.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ka të drejtë të vendosë gjoba për agjentin ekonomik, deri në trefishin e shumës së vlerës së sasisë, nëse vëren përdorimin e padrejtë ose uljen e gjendjes cilësore të mallrave, që i janë dhënë në ruajtje e mirëmbajtje.

3. Afati i parashkrimit të gjobës është tre vjet nga koha e marrjes dijeni nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për përdorimin e padrejtë ose uljen e gjendjes cilësore të mallrave, që ka pasur në ruajtje e mirëmbajtje agjenti ekonomik.

4. Agjenti ekonomik mund të ankohet kundër vendimit të dënimit me gjobë brenda 30 ditëve te Kryeministri.

5. Efektet financiare për depozitimin e kësaj kategorie malli përballohen nga Buxheti i Shtetit.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 17

Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit bashkëpunon me ministritë, institucionet qendrore, prefektët, personat fizikë dhe juridikë, për plotësimin dhe zbatimin e detyrave, për përcaktimin kompleks të rezervave materiale të shtetit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 18

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 5, 6 e 10, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 19

Shfuqizime

Vendimi nr.372, datë 25.7.1994 i Këshillit të Ministrave “Për administrimin e mallrave rezervë shtetërore”, i ndryshuar, si dhe çdo akt ligjor apo nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 20

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5692, datë 29.4.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bamir Topi