VKM Nr.1128, datë 05.08.2008

VENDIM

Nr. 1128datë 5.8.2008

PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 6 e 10 të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008 “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

1.Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull të jetë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit plotëson dhe siguron sasitë dhe nomenklaturën e mallrave rezervë shtetërore, nëpërmjet:

a) financimeve nga Buxheti i Shtetit;

b) mallrave, që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe veprat penale;

c) të ardhurave dhe fondeve financiare, që realizon gjatë veprimtarisë të saj;

ç) donacioneve dhe ndihmave të papërdorura, të cilat plotësojnë sasitë dhe nomenklaturën e parashikuar ose e shtojnë atë.

3. Mallrat rezervë materiale shtetërore, që nuk financohen nga Buxheti i Shtetit, në çdo kohë transferohen pa pagesë dhe u shiten, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, subjekteve, shtetërore ose private, sipas miratimit të organit, që ka këtë kompetencë.

4. Ministri, që mbulon fushën përkatëse, nxjerr udhëzime, ku përcakton procedurat, të cilat duhen ndjekur e zbatuar nga institucionet, që kërkojnë ndihmë me apo për mallra rezervë shtetërore, të grupeve B e C, si dhe për rregullimin, në tërësi, të marrëdhënieve, që krijohen në administrimin e mallrave rezervë shtetërore.

5. Aktet nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, që bien ndesh me këtë vendim, shfuqizohen.

6. Ngarkohen ministri, që mbulon fushën përkatëse, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI

Sali Berisha