RREGULLORJA E BRENDSHME E DPRMSH

RREGULLORE  E  BRENDSHME

PËR

DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT

 

Neni 1

Objekti dhe fusha e zbatimit

Rregullorja e Brendshme përcakton organizimin, misionin, objektin e veprimtarisë si dhe detyrat e kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (më poshtë DPRMSh), e përbërë nga 3 Drejtori:

  • Drejtoria Teknike e Standardeve dhe e Cilësisë
  • Drejtoria e Planifikimit dhe Financës
  • Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Shërbimeve të Brendshme

Ajo ka qendrën në: Rruga Abdi Toptani, përballë TORRE DRINI – Center, (Kati-I, ish-Hotel DRINI) dhe ka 7 Drejtori Rajonale në varësi të saj, në:

  • Tiranë
  • Durrës
  • Elbasan
  • Korçë
  • Vlorë
  • Mat
  • Pukë

që veprojnë në të gjithë vendin.

Ka vulën dhe stemën e Republikës së Shqipërisë që përmban emrin e saj.

Neni 2

Struktura Organizative

  1. Struktura organizative dhe numri i punonjësve të DPRMSh, miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit te Punëve të Brendshme ne baze te pikës 3 të nenit 10 të Ligjit nr. 9000 date 30.1.2003, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
  2. Emërimi dhe largimi nga detyra i punonjësve të DPRMSh dhe të Drejtorive Rajonale nëpër rrethe, bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm. Për Punonjësit e Drejtorive Rajonale në rrethe, bëhet  me propozimin e Drejtorit të saj.
  3. Të gjithë punonjësit në administratën e D.P.R.M.Sh-së, detyrimisht duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë.
  4. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme, vepron Këshilli i Drejtorisë, si organ konsultativ i tij. Anëtarët e Këshillit, zgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili njofton Kabinetin e Ministrit, mbi përbërjen e tij. Objekt i punës së Këshillit konsultativ, janë shqyrtimi i problemeve më të rëndësishme, që lidhen me veprimtarinë e Rezervave Materiale të Shtetit.

Neni 3

Vartësia dhe Funksioni

  1. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ushtron veprimtarinë e saj si institucion në vartësi të drejtpërdrejtë të Ministrit të Punëve të Brendshme, në bazë të ligjeve të shtetit dhe dispozitave nënligjore, për administrimin e mallrave rezervë shtetërore.
  2. Administron mallra rezervë shtetërore, të konfiskuara, të sekuestruara dhe në ruajtje, nëpërmjet Drejtorive të saj Rajonale.
  3. Në bazë të detyrave të caktuara nga Ministri i Punëve të Brendshme, bën shtimin dhe fuqizimin e mallrave rezervë shtetërore. Merr masa për miradministrimin e vlerave monetare e materiale, sipas dispozitave ligjore.
  4. Bën ndjekjen e akt marrëveshjeve të përfunduara ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe shteteve të huaja donatore, si dhe merr masa për pritjen, shkarkimin, transportin dhe magazinimin e ndihmave të akorduara.
  5. Lidh akt-marrëveshje me organizma të ndryshme jashtë vendit, në fushën e asistencës teknike, për organizimin e rezervës shtetërore, sipas përvojës bashkëkohore dhe kushteve konkrete të ekonomisë së tregut në vendin tonë.
  6. Krijon lidhje me Organizma dhe Institucione analoge jashtë vendit, për binjakëzim. Realizon Protokolle Bashkëpunimi, në fushën e kualifikimit administrativ, asistencës teknike dhe ndihmës së ndërsjellët.
  7. Studion dhe merr masa për përmirësimin e kapaciteteve strehuese, si ngrehina, depo, depozitat, etj. për përmirësimin e strukturës së mallrave rezervë shtetërore si dhe shpërndarjen e saj territoriale, në përshtatje me detyrat që i caktohen.
  8. Bashkëpunon me institucionet e tjera qendrore, për probleme që lidhen me strukturën e mallrave, freskimin e tyre dhe evadimin për përdoruesit.
  9. Realizon drejtimin ekonomiko-financiar dhe tekniko-organizativ të Drejtorive Rajonale të Rezervës Shtetërore, ushtron kontroll e ndihmë, për aktivitetin e tyre dhe përgjigjet para ministrit, për të gjithë veprimtarinë e rezervës shtetërore.
  10. Studion dhe merr masa, për përmirësimin e organizimit dhe drejtimit të drejtorive rajonale të rezervës shtetërore, për përmirësimin e teknologjisë në ruajtjen e mallrave, të kryerjes së shërbimeve teknike e të rritjes së jetëgjatësisë së mallrave, për uljen e shpenzimeve dhe realizimin e të ardhurave nga shitjet, me çmime të favorshme si dhe nga kryerja e shërbimeve, për të tretët.
  11. Merr masa për ruajtjen e sekretit të gjendjes së mallrave rezervë shtetërore dhe miraton evidencat periodike, me të cilat degët e rezervës së shtetit, informojnë Drejtorinë e Përgjithshme, për lëvizjen dhe gjendjen e mallrave.
  12. Përgatit dokumentacionin e nevojshëm si dhe merr masa për zbatimin e urdhrave, të dhënies së mallrave në sasinë dhe kohën e caktuar.
  13. Harton projekt planin e buxhetit, për rezervat e shtetit dhe merr masat për zbatimin e tij pas miratimit.
  14. Kontrollon veprimtarinë ekonomiko-financiare, të Drejtorive Rajonale e gjendjen cilësore të mallrave. Në bazë të dispozitave në fuqi, ndikon në forcimin e kontrollit të brendshëm.
  15. Ushtron kontroll, për zbatimin e rregullave të marrjes në dorëzim, administrimin dhe shitjen e mallrave të sekuestruara, për kundërvajtje administrative si dhe për kontrabandë.
  16. Merr masa për shfrytëzimin e plotë të mekanizmave e të mjeteve të transportit, për rritjen e efektivitetit të tyre.
  17. Përcakton mënyrën dhe rregullat e ruajtjes së objekteve rezervë shtetërore dhe kontrollon drejtoritë rajonale, për masat e marra në ruajtjen e këtyre objekteve.
  18. Kontrollon zbatimin e rregullave, për mbrojtjen nga zjarri, për sigurimin teknik në punë dhe trajnimin e punonjësve.
  19. Evidenton dhe zgjidh drejte e në kohën e duhur, kërkesat e ankesat e punonjësve.

Neni 4

Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit

Në kuadër të funksioneve dhe detyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i saj ushtron kompetencat në përputhje me nenin 7 të Ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”.

Drejtori i Përgjithshëm miraton përshkrimin e punës së Përgjegjësve të Sektorëve, drejtorëve rajonale dhe specialistëve në DPRMSh dhe drejtoritë rajonale të varësisë.

Neni 5

Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Shërbimeve të Brendshme

Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Shërbimeve të Brendshme, është  përgjegjëse për:

– menaxhimin e nëpunësve civilë të institucionit, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet me ligj që një vendim/akt  administrativ  i caktuar,  që  ka  të  bëjë  me marrëdhëniet e shërbimit civil, është në kompetencën e një nëpunësi apo një trupe tjetër posaçërisht të krijuar nga ligji.

– Krijimin dhe  administrimin e dosjes së personelit të çdo të punësuari  të  institucionit  (dosja individuale).

– Krijimin e hapësirave ligjore, në DPRSH dhe në Drejtoritë Rajonale të saj dhe njëkohësisht, të jetë ekzigjente, në zbatimin e detyrave, konform kërkesave ligjore.

5.1.            Drejtori i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Shërbimeve të Brendshme.

Drejtori i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore & Shërbimeve të Brendshme ka këto detyra e të drejta:

  1. Përgjigjet për sistemin e menaxhimit të personelit (identifikimin e  nevojave për personelin, rekrutimin, risistemimin e personelit të tepërt, trajnimin e fillestareve, organizimin e strukturave, përgatitjen e projektit të strukturës dhe organigramës dhe të organikës, duke u bazuar në misionin e Rezervave Shtetërore) dhe përgjigjet para Drejtorit të Përgjithshëm.
  2. Ndjek e kontrollon, lidhjen dhe zbatimin e kontratave individuale të punës, në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Drejtoritë Rajonale.
  3. Përgatit procedurat teknike, për marrjen në punë, lëvizjen paralele, ngritjen në përgjegjësi, dhënien e masave disiplinore dhe shlyerjen e tyre .
  4. Krijon dhe mban regjistrin themeltar të personelit të Drejtorisë së Përgjithshme, dosjet e çdo punonjësi të disiplinuar në organikë, të drejtorëve te drejtorive, drejtoreve te drejtorive rajonale dhe specialistëve  të tyre.
  5. Ndjek vlerësimin periodik dhe atë përfundimtar, për të gjithë punonjësit e disiplinuar në organikë, në Drejtorinë e Përgjithshme dhe Drejtoritë Rajonale, në përputhje me vendimet e qeverisë për këtë qëllim.
  6. Ndjek zbatimin e disiplinës në punë, shfrytëzimin e kohës së punës, eficensës së punës, mban evidencën dhe përgatit listë prezencën, për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme.
  7. Në bashkëpunim me drejtorët e drejtorive, në qendër dhe ato rajonale, harton planin e kualifikimit dhe të specializimeve për punonjësit.
  8. Përgjigjet për plotësimin e nevojave të aparatit, me mjete pune, pajisje, kancelari dhe për plotësimin e nevojave, për shërbime të automjeteve të aparatit.
  9. Disiplinon lëvizjet e automjeteve të personelit, sipas programit të punës të drejtorive, të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm, plotëson autorizimet për lëvizjet e automjeteve në destinacionin e kërkuar, siglon shpërndarjen e karburantit dhe përmbledhësen mujore të fletë-udhëtimeve.
  10. Përgjigjet për kryerjen e abonimeve në shtypin e përditshëm, fletoren zyrtare dhe bashkëpunon me organet eprore dhe ato të specializuara, për sigurimin e akteve ligjore e nënligjore, të nevojshme, për mbarëvajtjen e punës të Drejtorisë së Përgjithshme.
  11. Përgjigjet për lidhjen e kontratave dhe zbatimin e tyre me telekomin, ujësjellësin, KESH-in, etj që sigurojnë mbarëvajtjen e punës në DPRSH.
  12. Është përgjegjës, për zbatimin nga të gjithë punonjësit e DPRMSH, të ligjeve dhe akteve ligjore e nënligjore.
  13. Organizon punën, për njohjen dhe zbatimin nga punonjësit e DPRMSH, të akteve ligjore e nënligjore, që rregullojnë punën e Drejtorisë.
  14. Ushtron kontrolle dhe kërkon llogari, për zbatimin e detyrave, nga sektorët në Drejtori dhe në Drejtoritë Rajonale, në fushën legjislative.
  15. Përgatit raporte, për veprimtaritë e degëve dhe për punonjës të veçantë dhe i propozon Drejtorit të Përgjithshëm, masa për përmirësimin e punës, ruajtjen dhe zbatimin e ligjeve
  16. Bën interpretimin ligjor të problemeve dhe ndihmon në konsulta.
  17. Është përfaqësues juridik i të gjitha çështjeve gjyqësore, në të cilat Drejtoria e Përgjithshme është pale.
  18. Merr pjesë, në të gjitha seminaret apo kontaktet, me karakter juridik, që organizohen në shkallë vendi.

Neni 6

DREJTORIA E PLANIFIKIMIT DHE FINANCËS

Drejtoria e Planifikimit dhe Financës në DPRMSh-së ushtron aktivitetin e saj ne fushën ekonomiko – financiare.

6.1. Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Financës

Ka këto detyra dhe te drejta:

  1. Përgjigjet para Drejtorit të Përgjithshëm, për të gjithë veprimtarinë ekonomiko-financiare të Drejtorisë dhe të Drejtorive Rajonale.
  2. Harton plan-buxhetin, për vitin pasardhës, në bashkëpunim me Drejtorët e Drejtorive dhe drejtoret e Drejtorive Rajonale, në afate të caktuara, nga Ministria e Financave.
  3. Ndjek zbatimin e detyrave dhe të urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm, për Drejtorinë që ka në vartësi dhe të specialistëve për financat në Drejtoritë Rajonale dhe raporton për plotësimin e tyre.
  4. Respekton organiken, për te gjitha emërtesat e miratuara nga KM.
  5. Bën bashkëveprimin e detyrave me drejtoritë përkatëse në dikastere dhe institucionet qendrore dhe kujdeset e ndjek zbatimin në afat të tyre.
  6. Ndjek dhe përgjigjet para Drejtorit te Përgjithshëm, për realizimin e treguesve ekonomiko-financiar, sipas planit, ne përputhje me ligjin organik te buxhetit. Ndjek realizimin e tij si dhe të mjeteve monetare Rezervë Shtetërore, të ardhurat dytësore, përdorimin e tyre.
  7. Mbikëqyr përgatitjen e Buletinit mujor statistikor dhe e bën te përdorshëm, për te gjitha Drejtoritë në formë të shkruar dhe elektronike.
  8. Merr, evidencon dhe zgjidh me iniciativë e në mbështetje të dispozitave në fuqi, problemet që ngrenë Drejtoritë Rajonale, ushtron kontrollon e kërkon llogari ndaj drejtuesve të tyre.
  9. Mbi bazën e kontratave të lidhura, bën çeljen e letër – kredive dhe i ndjek ato deri në përfundim, duke zgjidhur edhe çdo mosmarrëveshje sipas kushteve të kontratës.
  10. Kërkon për zbatimin e rregullave, gjatë marrjes në dorëzim dhe administrimit të mallrave Rezervë Shtetërore dhe mallra të tjera që kalojnë në administrim të DPRMSh-së.
  11. Studion, analizon, nxjerr konkluzione dhe jep mendime, për përsosjen organizative të Rezervës Shtetërore, për strukturën dhe sasinë e mallrave, për veprimtarinë e shitblerjes, në mënyrë që ky institucion, t’i përshtatet më mirë ekonomisë së tregut.
  12. Organizon punën, për trajnimin dhe rritjen e nivelit profesional të punonjësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Financës dhe specialistët e financës në Drejtoritë Rajonale.
  13. Organizon seminare, kurse me punonjësit, për njohjen e ligjeve e vendimeve, për menaxhimin financiar të aktiveve materiale e monetare.
  14. Nxjerr detyrat përkatëse, për Rezervën Shtetërore dhe ato që dalin nga protokoll – marrëveshjet ndërqeveritare, për Ndihmat Shtetërore dhe ndjek zbatimin e tyre.
  15. Analizon bilancet, treguesit tekniko – ekonomiko – financiare, për të gjithë sistemin e Rezervës, nxjerr konkluzione dhe raporton në analizat e Drejtorisë së Përgjithshme, duke propozuar masa konkrete, për përmirësimin e punës, kërkon zbatimin e afatit të dorëzimit të bilanceve në Drejtorinë e Përgjithshme si dhe në Ministrinë e Financave.
  16. Ushtron kontrolle periodike, vetë ose me ekip, mbi veprimtarinë ekonomiko-financiare në Drejtoritë Rajonale. Për shkeljet e konstatuara, i propozon Drejtorit të Përgjithshëm, masat përkatëse.
  17. Kryeson grupin e monitorimit, për zbatimin e kontratave të objekteve të dhëna me qira dhe enfiteozë.
  18. Ndjek e pasqyron, procedurat juridike, për debitorët e kreditoret, ne bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale dhe me Sektorin Juridik.

Neni 7

DREJTORIA TEKNIKE, STANDARTEVE & CILËSISË

Drejtoria Teknike e Standardeve dhe Cilësisë ka për mision qe te zgjidhe teknikisht, te gjitha problematikat qe kane si objekt veprimtarie, rezervat e Shtetit, mbështetur ne legjislacionin përkatës.

7.1. Detyrat e Drejtorit te Drejtorisë TeknikeStandardeve dhe Cilësisë

  1. Përgjigjet përpara Drejtorit te Përgjithshëm për te gjithë veprimtarinë qe mbulon.
  2. Ndjek zbatimin e detyrave dhe urdhrave te Drejtorit te Përgjithshëm, për drejtorinë qe ka ne varësi, sektorët teknike dhe specialistët teknikë të varësisë dhe raporton, për zbatimin e këtyre detyrave.
  3. Ben bashkërendimin e detyrave me drejtoritë përkatëse, ne dikasteret dhe institucionet e tjera dhe ndjek zbatimin e tyre.
  1. Evidenton dhe zgjidh me iniciative, ne mbështetje me dispozitat ligjore ne fuqi, problemet, qe ngrëne Drejtoritë Rajonale.
  2. Bashkëpunon me subjektet shtetërore, qe dërgojnë mallra te konfiskuara, sekuestro dhe ne ruajtje, për te respektuar te gjitha parametrat ligjore dhe cilësore.
  1. Studion, analizon, nxjerr konkluzione dhe jep mendime, për përsosjen organizative te Rezervës se Shtetit, për strukturën dhe sasinë e mallrave rezerve shteti.
  2. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit Financiar nxjerr dhe zbaton detyrat përkatëse, për Rezervën Shtetërore, ne lidhje me ndihmat shtetërore dhe ndjek zbatimin e tyre.
  3. Organizon dhe drejton veprimtarinë, për ngritjen tekniko- profesionale, te personelit inxhiniero – teknik.
  4. Kontrollon marrjen dhe zbatimin e masave për sigurimin teknik, mbrojtjen ne pune dhe mbrojtjen ndaj zjarrit (M.N.Z).
  5. Organizon takime dhe seminare, me sektorët teknike dhe specialistët teknikë ne rrethe, për njohjen e kuadrit ligjor që mbulon fushën e rezervave materiale të shtetit si dhe për shkëmbim eksperience midis tyre.
  6. Mbikëqyr veprimtarinë e drejtorive rajonale lidhur me shërbimet dhe ruajtjen e mallrave rezerve shtetërore, konform standardeve shtetërore.
  7. Ndjek zbatimin e standardeve shtetërore, ne procesin e blerjes dhe shitjes se mallrave, te administruara nga DPRMSh.
  1. Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e freskimit te mallrave, sipas afateve të përcaktuara në standardet shtetërore.
  2. Kontrollon veprimtarinë lidhur me nxjerrjen jashtë përdorimit te mallrave rezervë materiale shtetërore (ushqimore dhe industrialë) që administrohen pranë Drejtorive Rajonale, sipas dispozitave ne fuqi.
  3. Mbikëqyr procedurat e ndjekura për projektimin dhe zbatimin, sipas K.T.P dhe K.T.Z, te te gjithë objekteve ndërtimore, pronë e DPRMSh-së dhe e Drejtorive Rajonale.
  4. Konfirmon relacionet teknike mbi identifikimin e kushteve teknike te magazinimit te mallrave dhe plotësimin e kushteve te tilla, nëpërmjet investimeve dhe meremetimeve.
  5. Ushtron kontrolle periodike me ekip, ose vete, mbi veprimtarinë e sektorëve teknikë apo specialistëve teknikë ne Drejtoritë Rajonale dhe për shkeljet e konstatuara, propozon para Drejtorit te Përgjithshëm, për masat përkatëse.

Neni 8

Drejtori Rajonal i Rezervave Materiale të Shtetit

Ne kuadër të funksioneve dhe detyrave të Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, Drejtori Rajonal ka këto detyra :

a – Përgjigjet përpara Drejtorit të Përgjithshëm për të gjithë veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale Shtetërore.

b – Përgatit procedurat dhe paraqit kandidaturat alternative në Drejtorinë e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve të Brendshme në Drejtorine e Përgjithshme për të miratuar marrjen në punë të specialistëve. Bën kërkesë me shkrim për vëndet e lira të punës dhe ja paraqit Drejtorit të Përgjithshëm.

c – Përfaqson Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale Shtetërore në marrdhënie me të tretët.

d – Merr masa dhe ushtron kontroll për zbatimin e rregullave të caktuara në ruajtjen dhe administrimin e mallrave rezervë shtetërore, të objekteve të rezerves së shtetit, të mallrave sekuestro dhe në ruajtje. Merr masa dhe krijon kushte të përshtatshme për depozitimin e mallrave sipas urdhrave të lëshuara nga Drejtori i Përgjithshëm. Autorizon shpërndarjen e mallrave dhe të materialeve kundrejt urdhrave të lëshuara nga organi epror.

e – Organizon dhe drejton punën për mbajtjen në gadishmëri të mekanizmave dhe paisjeve, të mjeteve të transportit dhe raporton për gadishmërinë e tyre në Drejtorinë e Përgjithshme.

f – Ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit për të ardhurat dhe shpenzimet dhe përgjigjet për administrimin e fondeve të akorduara sipas rregullave në fuqi.

g – Zgjidh me iniciativë dhe përgjegjësi dhe brenda rregullave problemet që nuk mund të zgjidhen nga specialistët e Drejtorisë.

h – Zbaton kërkesat e rregullores dhe vendimeve të qeverisë për disiplinën në punë për të gjithë punonjësit e Drejtorisë.

i – Nxjerr urdhra për zbatimin e detyrave të caktuara nga Drejtoria Përgjithshme dhe kontrollon zbatimin e tyre.

j – Organizon dhe përgjigjet për funksionimin e kontrollit të brendshëm, merr masa dhe nxjerr urdhra për zhdëmtimin e dëmeve të krijuara.

k – Bën denoncim në organet e  ngarkuara me ligj, për vepra penale që dëmtojnë pronën shtetërore.

l – Përgjigjet për ndjekjen e debitorëve të paligjshëm të krijuar në vite ose që krijohen gjatë ushtrimit të aktivitetit  dhe ndjek zbatimin e procedurave ligjore për arkëtimin e vlerave monetare në dobi të shtetit.

m – Jep masa disiplinore me cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë ndaj vartësve të tij sipas procedurave të shërbimit civil.

n – Jep masa disiplinore ndaj ndaj vartësve të tij për të cilët mardhënia e punës rregullohet nga kodi i Punës.

o – Autorizohet nga Drejtori i Përgjithshëm për lidhjen e kontratave të punës për punonjësit në varësi për të cilët marëdhënia e punës rregullohet nga Kodi i Punës.

p – Organizon dhe drejton mbledhjet periodike, analizat ekonomiko financiare në drejtori. Analizon problematikat që hasen  në veprimtarinë administrative dhe i propozon Drejtorit të Përgjithshëm masat përkatëse.

q – Është përgjegjës për mbarëvajtjen e punës dhe kërkon llogari për kryerjen e detyrave nga vartësit e tij.

r – Nxjerr urdhra për zbatimin e detyrave mbi bazën e kontrollove të ushtruara nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme.

s – Bën vlersimin e punës për specialistët dhe punonjësit e tjerë që ka të disiplinuar në organikë dhe në varësi të tij.

Neni 9

Lirimi, Pezullimi dhe Masat Disiplinore

Zbatimi i kërkesave të këtij kapitulli, do të bëhet duke u bazuar dhe mbështetur, në kuadrin ligjor që mbulon fushën e shërbimit civil dhe akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës.

Neni 10

Detyrat dhe te Drejtat

Zbatimi i kërkesave të këtij kapitulli, do të bëhet duke u bazuar dhe mbështetur, në kuadrin ligjor që mbulon fushën e shërbimit civil dhe akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës.