Lajme

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, vizitoi ditën e sotme familjet e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në qarkun e Dibrës.

 

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, vizitoi ditën e sotme familjet e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në qarkun e Dibrës. Ajo zhvilloi një sërë takimesh me familjet në fshatin Vinjoll dhe Dukagjin, ku ishte dhe epiqendra e tërmetit dhe, si pasojë, mbi 20 familje prej ditësh janë sistemuar në çadrat e ngritura nga FA.

Gjatë inspektimit në zonat e prekura, ministrja theksoi se Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile do të vazhdojnë të jenë pranë banorëve në vështirësi: “Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile që ditën e parë i janë gjetur pranë këtyre banorëve, të cilët vuajnë dëmet e tërmetit në banesat e tyre. Bëhet fjalë për disa qindra banesa, të cilat kanë pasur dëmtime dhe për disa dhjetëra, të cilat janë të pabanueshme. Në Bashkinë Mat, ku dëmi ka qenë më i madh, ekipet kanë qenë në terren, por ka një mungesë përgjegjshmërie pasi nuk kanë ecur me ritmet që duhet të ecin. Sigurisht bashkia është aktori kryesor i përballimit të parë të emergjencave. Natyrisht nevojitet një organizim shumë i koordinuar dhe i konsultuar mes të gjithëve dhe Emergjencave Civile në nivel qëndror, por po bëjmë çmos që të asistojmë bashkinë dhe ekipet e vlerësimit që të kryejnë këtë punë me një ritëm shumë më të lartë nga ç’po e bëjnë sot dhe sa më shpejt, sepse pa diskutim këta banorë duan një zgjidhje, që të mos jetë shumë e largët, por të jetë sa më e shpejtë, duke pasur parasysh që do të na fillojnë shirat dhe do të vijë edhe i ftohti i dimrit. Kështu që zgjidhja është imediate dhe të gjithë bashkë duhet të bëjmë çmos që ta gjejmë atë.”

050

Ministrja e Mbrojtjes, duke përfituar edhe nga festa e Bajramit, nuk nguroi të jepte një mesazh së bashku me efektivët e FA dhe Emergjencave Civile, të cilët shpërndanë ushqime për të gjitha familjet, kontribut për festën e Kurban Bajramit: “Sot kemi ardhur edhe për t’ju ofruar një ndihmë simbolikisht për t’ju shtruar drekën e Kurban Bajramit veçmas ndihmave të tjera që ju kemi siguruar jo vetëm gjatë këtyre ditëve, por edhe sot me Emergjencat Civile, por edhe me Rezervat e Shtetit përfitojmë nga rasti që t’i urojmë festën të gjithë besimtarëve muslimanë edhe uroj shumë që Zoti t’ju japë kurajë dhe forcë këtyre banorëve që të përballojnë këto ditë të vështira dhe gjithësecilit shumë më tepër dashuri në zemrat e tyre, shumë më tepër tolerancë dhe solidaritet”.

030

Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, përmes Emergjencave Civile prej ditësh kanë asistuar familjet në të gjitha njësitë administrative, banesat e të cilave janë të pabanueshme, me çadra, pako ushqimore, shtretër e bazë materiale.
Vetëm në Bashkinë Mat, për shkak të tërmetit u dëmtuan mbi 300 shtëpi, 36 prej të cilave aktualisht janë të pabanueshme.